“USA Today”: Bizneset e Trump, lidhje me mafian ruse

29/03/2017 00:00

Donald Trump, kompania e tij dhe partnerët e tij i janë drejtuar vazhdimisht pasanikëve dhe oligarkëve rusë për të zgjeruar aktivitetet e saj në tregun e pasurive të patundshme.

Është kjo akuza që ngrihet ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara nga “USA Today”, që citon dokumente zyrtare qeveritare dhe një intervistë me një ish-prokuror federal.

Sipas së përditshmes amerikane, shumica e pasanikëve me të cilët ka bashkëpunuar grupi Trump janë të lidhur me krimin e organizuar rus.

“Kanë dalë në dritë lidhje me të paktën 10 biznesmenë nga vendet e ish-Bashkimit Sovietik, që dyshohen të jenë të lidhur me organizata kriminale, ose me botën e pastrimit të parave”, shkruan “USA Today”.

Ndërkohë, ndaj Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij vijojnë hetimet për ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale, që e nxorrën atë fitues ndaj rivales Hillary Clinton.

Aktualisht kjo çështje po hetohet nga dy komisione të Senatit amerikan dhe nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI.

Komisioni për shërbimet e inteligjencës, pak ditë më parë njoftoi se ka në plan të marrë në pyetje dhëndrin e Trump, i cili dyshohet se gjatë fushatës elektorale është takuar me dy zyrtarë rusë.

Top Channel