Skocia: Për “Brexit” Mbretëria nuk është e Bashkuar

29/03/2017 00:00

“Sa i takon Brexit-it, nuk jemi një Mbretëri e Bashkuar”. Me këto fjalë kreu i grupit parlamentar të të pavarurve skocezë, Angus Robertson ka kundërshtuar deklaratën e kryeministres Theresa May.

Robertson ka insistuar në kërkesën për një referendum për pavarësinë e Skocisë, duke kërkuar respektimin e “votës demokratike të Edimburgut”.

Ai ka kujtuar se më 23 qershor, “dy vende të Mbretërisë së Bashkuar votuan pro Brexit dhe dy të tjera kundër”.

May tha më herët gjatë ditës, se dalja nga BE do ta bëjë vendin më të bashkuar dhe se gjithçka po bëhet sipas vullnetit të popullit.

“Është një moment historik, nuk ka kthim pas”, tha ajo teksa njoftoi nisjen e procesit të daljes nga Bashkimi Europian.

Nga ana tjetër, May refuzoi kërkesën e Robertson për një referendum të dytë për Skocinë, duke nënvizuar se nuk është momenti i duhur për të diskutuar këtë temë.

Ajo shtoi se, synon të menaxhojë negociatat për shkëputjen nga Unioni në emër të të gjithë Mbretërisë së Bashkuar, duke marrë parasysh interesat e të gjitha pjesëve përbërëse të saj.

Top Channel