Sulmi me granatë, Polonia mbyll konsullatën në Ukrainë

29/03/2017 00:00

Polonia ka mbyllur përkohësisht konsullatën e saj në Ukrainë, pas sulmit me granatë gjatë mesnatës ndaj një prej godinave të saj pranë kufirit polak, gjest të cilin Kievi tha se ka për synim të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe me Varshavën.

Marrëdhëniet mes Polonisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar gjatë vitit të kaluar, për shkak të krimeve të Luftës së Dytë Botërore, edhe pse Varshava mbështet fuqimisht sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për aneksimin në vitin 2014 të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe homologu i tij polak Andrzej Duda e dënuan sulmin e ndodhur në orët e para të së mërkurës në qytetin Lutsk pranë kufirit.

Asnjë nuk u lëndua nga ai shpërthim grnate, por çatia e konsullatës polake në Ukrainë dhe xhamat u dëmtuan. Shërbimi sekret ukrainas tha se arma e përdorur dyshohet të jetë një raketë e hedhur nga një lëshues antitanqesh “RPG-26” të prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik.

“Hetimi ka marrë në konsideratë disa pista mbi këtë incident, përfshi aktin e terrorizmit”, thanë shërbimet sekrete përmes një deklarate. “Provokimet ndaj Republikës së Polonisë, që po ndodhin prej pak kohësh në Ukrainë, sjellin përfitime vetëm për një palë: Federatën Ruse. Metodat e saj operacionale shihen qartë edhe për së largu”.

Ministria e Jashtme ruse nuk iu përgjigj kërkesës së “Reuters” për koment, por zëdhënësja e këtij dikasteri, Maria Zakharova, refuzoi përfundimin e Kievit përmes rrjeteve sociale.

Top Channel