“Brexit” nis zyrtarisht. Dorëzohet letra te Tusk

29/03/2017 00:00

Pas 40 vitesh “martesë”, Britania dorëzoi këtë të mërkurë kërkesën zyrtare për ndarjen me Bashkimin Europian.

Për 4 dekada, themelet social-ekonomike të Britanisë ishin integruar gjithnjë e më shumë me pjesën tjetër të kontinentit europian, pasi më shumë se një ndër 10 ligje vinin për miratim në Parlamentin britanik nga Brukseli. Prej sot do të duhet të ndryshojë në të kundërt kursi i drejtimit.

Pikëpyetjet janë të mëdha, e mbi të gjitha ato kanë të bëjnë me ekonominë britanike dhe nëse do të jetë ajo në gjendje të ketë modelin e vet ekonomik jashtë BE-së.

Frika për rënien e ekonomisë apo për përmirësimin e saj të dukshëm nuk është materializuar qartazi në njërin ose tjetrin drejtim. Por gjasat janë se, edhe muajt e ardhshëm, njësoj si muajt e fundit do të jenë të ngjashëm: plot me potere e debate politike, ku Europa dhe Britania do të pozicionohen më qartazi në negociatat e divorcit.

Ndër çështjet më të ndjeshme në procedurat e divorcit institucional mes Londrës dhe Brukselit do të jenë ato të sasisë së detyrimeve financiare që Londra i ka ose jo Brukselit, çfarë do të ndodhë me asetet e BE-së dhe, mbi të gjitha, cilat do të jenë të drejtat e shtetasve europianë në Britani dhe atyre britanikë në vendet e BE-së, pas vitit 2019.

Pikëpyetje ka edhe për kufirin tokësor në Irlandën e Veriut. Negociatat pritet të jenë të vështira dhe një marrëveshje tregtare mes Londrës dhe Brukselit mbetet një bast i vështirë. Ajo që kërkohet nga sot deri më 29 marsin e 2019-s është durimi, pasi nuk mund të harrosh brenda natës dhe të fshish atë që është arritur për 40 vite.

Ndërkohë që malli i ka marrë për britanikët në Bruksel, sipas zyrtarit të lartë europian Donald Tusk, ende nuk ndihet kjo nostalgji për Brukselin në elitën qeveritare britanike, gjë që nuk mund të thuhet për ata që votuan pro qëndrimit në referendumin që e humbën 9 muaj më parë.

Top Channel