Mbi 80 kompani me rreth 5.000 vende pune çelën dyert për qytetarët që do të kërkojnë të aplikojnë për një vend pune në panairin treditor të punësimit në Tiranë.

Kompanitë pjesëmarrëse janë që nga ato të Telekomunikacionit, sistemit bankar, ndërtimit, transportit, shërbimeve, industrisë përpunuese, apo kompani të mëdha edhe ndërkombëtare si “Spiecapag”, që po zbaton projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).

“Unë personalisht do të ndjek me përparësi kërkesat tuaja jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Berat dhe në të gjitha qarqet e vendit. Dhe për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit të mospërputhjes së ofertës tuaj për punë, me aftësitë e punëkërkuesve që u drejtohen Zyrave të Punës, atij togfjalëshit që rëndom i referohemi si ‘mungojnë profesionistët’, pas 4 javësh do të çelim një tjetër panair. Panairin e Arsimit dhe Formimit Profesional”, tha Olta Xhaçka, ministre e Mirëqenies Sociale.

Kompanitë thonë se të interesuarit do të mund të intervistohen drejtpërsëdrejti në panair, duke siguruar kështu punësim apo seleksionim edhe pas panairit.

Top Channel