Turneu Masters i Majemit, Federer dhe Nadal në çerekfinale

29/03/2017 00:00

Roger Federer, Rafael Nadal e Kei Nishikori kualifikohen për në çerekfinale të Turneut Masters të Majemit.

Tenisti zviceran eliminoi jo pa vështirësi në raundin e katërt spanjollin Roberto Bautista Agut, duke e mundur me rezultatin 2-0. Në të dy setet ishte “tie break”-u ai që përcaktoi fituesin dhe ai ishte 35-vjeçari nga Bazeli, që i fitoi ata 7-6 dhe 7-6.

Rafael Nadal mundi në 1/8 e finaleve francezin Nicolas Mahut me rezultatin 2-0. Edhe spanjollit iu desh të shfaqë më të mirën e tij në momentet më vendimtare të takimit për të fituar këtë përballje me rezultatin 6-4 dhe 7-6.

Kei Nishikori ishte ai që vuajti më shumë nga të tjerët në raundin e katërt të Turneut Masters të Majemit. Tenisti japonez u përball me argjentinasin Delbonis, të cilin e mposhti 2-1. Nishikori fitoi setin e parë 6-3, por humbi të dytin 4-6. Në setin final, japonezi u shfaq sërish më mirë se kundërshtari dhe e fitoi atë 6-3.

Surprizën në këtë turne e bëri Stanislas Wawrinka, i cili u eliminua nga Alexander Zverev, me gjermanin që fitoi me rezultatin 2-1.

Top Channel