Serbi, një komedian do të jetë rival i Vuçiçit për president

29/03/2017 00:00

Nisi si një shaka, një mënyrë për t’u tallur me klasën e diskredituar politike në zgjedhjet lokale të qytetit serb të Mladenovacit vitin e kaluar, por tani 25-vjeçari që imiton prototipin më të keq të politikanit është kthyer në një prej rivalëve më të denjë të Aleksandar Vuçiç.

Emri i tij i vërtetë është Luka Maksimoviç, por studenti i Shkencave të Komunikimit që po garon për postin e presidentit të Serbisë nën pseudonimin Ljubisa “Beli” Preletaçeviç, ka fituar famë dhe mbështejen e publikut duke u shfaqur si një politikan me stil të ekzgjeruar, i veshur me kostum të bardhë dhe stoli ari.

Duke bërë fushatë si një personazh imoral dhe i korruptuar, që bën premtime nga më të ndryshmet për të bindur votuesit e tij nëpër rrugë, Maksimoviç ka bërë për vete shumë njerëz në Serbinë e ngërthyer nga kriza, e që është e etur për imazhe dhe ide të reja. Sipas disa sondazheve, ai mund të sigurojë 11 për qind të votave, duke u renditur i dyti pas Vuçiçit.

“Duke parë se çfarë ka ndodhur gjatë muajve të fundit në vendin tonë, vendosa ta provoj, meqenëse kam edhe mbështetjen e njerëzve. Skena politike ka nevojë për një figurë të re, apo jo?”, tha ai.

Rezultatet në sondazhe, vetëm një javë pasi Maksimoviç u bë pjesë e garës, përbëjnë një goditje të rëndë për partitë kryesore të opozitës dhe i përcjellin një mesazh shqetësues partisë progresiste në pushtet lidhur me zhgënjimin e thellë popullor.

Në total, 11 kandidatë janë pretendentë për postin e presidentit të Serbisë. “Beli” doli fillimisht në skenë vitin e kaluar në prag të zgjedhjeve lokale në qytetin industrial. I hipur në një kalë të bardhë e i rrethuar nga truproja fiktive, “Beli” dhe grupi që e mbështet u kthyen në një fenomen duke grumbulluar 20 për qind të mbeshtetësve, që përkthehen në 12 vende në Asamblenë lokale.

Top Channel