Tensioni në Kosovë për zgjedhjet serbe, BE: Dialogoni!

29/03/2017 00:00

Bashkimi Europian shprehu keqardhjen e tij për mosrealizimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, në frymën e dialogut të Brukselit, si dhe u bëri thirrje autoriteteve që t’iu mundësojnë pjesëmarrjen qytetarëve që duan të marrin pjesë në tubimet e organizuara në Kosovë për presidencialet serbe.

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Maja Koçijançiç deklaroi se blloku po i ndjek me vëmendje zhvillimet në veriun e Kosovës.

“Përshëndesim vizitat e tilla që janë të caktuara në bazë të marrëveshjes për dialog”, tha Koçijançiç. “Kemi marrë njoftime për bllokimin e rrugëve, që ndalon njerëzit të marrin pjesë në tubime të tilla në veri sot”, shtoi ajo.

Lidhur me këtë veprim pati reaguar dhe presidenti Hashim Thaçi, i cili deklaroi se ai është në fakt “bllokim i rrugëve të Kosovës në botë”.

Një sërë rrugësh kryesore u zunë nga dhjetëra protestues, që kundërshtojnë fushatën zgjedhore të Serbisë në Kosovë, por u hapën më pas kur demonstruesit mësuan se Vuçiç kishte vendosur ta anulonte vizitën e tij.

Top Channel