Kriza në Maqedoni, rifillon punën Kuvendi. Bllokohet me fjalime

29/03/2017 00:00

Kuvendi i Maqedonisë është futur në garën e fjalimeve në seancën konstituive, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri. Në fillim u duk më e lehtë dhe pati një interesim edhe nga ndërkombëtarët. Tri ditë më vonë seanca vazhdon dhe numri i deputetëve të paraqitur për diskutim vijon të jetë i lartë.

Partitë shqiptare janë në pritje që të mbarojë lista e deputetëve të VMRO-DPMNE-së së Nikola Gruevskit për diskutim. Por edhe përçarjes mes tyre, pasi Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare nuk përkrahin kandidaturën e Talat Xhaferit të BDI-së.

Procedurat e mundësojnë një diskutim të pafund.

Profesori i Kushtetueses nga Shkupi, Bajram Pollozhani thotë se, nëse nuk ka marrëveshje politike, procedurat mund të zgjasin.

“Përmes një përllogaritjeje aritmetike të thjeshtë, nëqoftëse dyfishohen diskutimet dhe replikat, e këtu flasim vetëm për zgjedhjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, atëherë diskutimet mund të zgjasin mbi një muaj. Po të tejkalohet kjo dhe të shkohet në propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, përsëri do të jetë një situatë e njëjtë dhe do të duhen edhe dy muaj të tjerë diskutimesh”, thotë Bajram Pollozhani.

Interesi i VMRO-së është të zgjasë qëndrimin në qeveri. Ende nuk dihet sesi do të veprojnë partitë e mazhorancës nëse kjo do të ndodhë.

“Kur të lodhen të gjitha partitë politike, edhe me sponsorizimin e faktorit ndërkombëtar do të mund të ulen në një marrëveshje të tretë politike për daljen nga ky ngërç politik, ku do të mund të caktojnë dinamikën e zgjidhjes së çështjeve me vullnet politik, për ta zbatuar më pas në Parlament. Siç duket ky është edhe interesi i partisë së deritanishme në pushtet, VMRO-DPMNE”, tha më tej Bajram Pollozhani.

Seanca e Kuvendit të Maqedonisë, edhe ditën e tretë ka pasur mbi 50 deputetë në listë për të diskutuar.

Kriza në Kuvendin e Maqedonisë duket se është një pasqyrë e të gjitha ngjarjeve politike që kanë ndodhur në këtë vend, e nuk duket shumë lehtë e zgjidhshme pas gjithë atyre debateve në Kuvend.

Top Channel