Francë, dënimi i tretë kapital për Carlos “çakallin”

29/03/2017 00:00

Ai që njihet edhe si Carlos “çakalli” ka marrë dënimin e tretë të përjetshëm për një sulm në Paris në vitin 1974, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën 34 të tjerë.

Pesë gjykatës vendosën që Ilyich Ramirez Sanchez, i lindur në Venezuelë, ishte përgjegjës për hedhjen e një granate në “Champs Elysees”. Ai ka mbi shpinë edhe dy dënime të përjetshme për sulme të kryera në vitet ’70-’80.

Ndërsa gjyqi i posaçëm 15-ditor në një gjykatë të Parisit ka përfunduar, 76-vjeçari e quajti atë absurd për faktin se trajtonte një krim të kryer 42 vite më parë, ndërkohë që mohoi përfshirjen në sulm duke argumentuar se nuk kishte asnjë provë kundër tij.

Ditën e parë të gjyqit, ai tha se kishte qenë një revolucionar profesionist që në vitet e adoleshencës. Në një monolog të gjatë, ai u ankua për manipulimin e drejtësisë dhe tha se hetimet për sulmin ishin sabotuar.

I ulur pas një ndarjeje xhami, i rrethuar nga 3 policë, ai bëri spektakël duke i puthur dorën avokates dhe bashkëshortes së tij, Isabelle Coutant-Peyre, e duke përshëndetur po ashtu edhe median. Ekipi i tij i avokatëve kritikoi mungesën e një jurie, mungesën e shumë dëshmitarëve dhe po ashtu procedurave ligjore.

Dy dënimet e përjetshme të tij kishin të bënin njëri me vrasjen e dy oficerëve të policisë dhe një informatori në Paris, si dhe për ideimin e sulmeve mbi dy trena, një stacioni hekurudhor dhe një rruge në Paris, ku u vranë 11 vetë dhe u plagosën 150 të tjerë, respektivisht në vitet 1982 dhe 1983.

Sanchez ka qenë dikur një nga kriminelët më të shumëkërkuar në botë. Ai ka qëndruar në burg në Francë prej 23 vitesh, pasi forcat speciale franceze e rrëmbyen atë në Khartum të Sudanit dhe e sollën atë në Francë. Revolucionari marksist kishte thënë për një gazetë venezueliane në vitin 2011 se kishte vrarë mbi 2.000 persona në më shumë se 100 sulme.

Deri atëherë, Sanchez kishte pranuar vetëm marrjen peng të 70 personave, gjatë një takimi të vendeve të OPEK-ut në Austri në dhjetor të vitit 1975, episod ky që përfundoi me 3 viktima.

Top Channel