Pas Rusisë, që e konsideron aleat strategjik dhe historik, Serbia ka kthyer sytë edhe nga Kina. Sipas presidentit serb, Tomislav Nikoliç, që po përgatitet të vizitojë Kinën këto ditë, Kina dhe Serbia janë partnerë të fortë.

Gjatë një interviste me televizionin qendror të Kinës, Nikoliç foli me superlativa për vizitën e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi, në qershor të 2016-s, vizitë gjatë së cilës dy vendet nënshkruan më shumë se 20 marrëveshje.

“Muajt e kaluar, Banka e Kinës u hap në Beograd. Kjo do të thotë që Kina na konsideron një partner të rëndësishëm, me të cilin mund të ketë bashkëpunim të drejtpërdrejtë financiar. Ndërkohë që ne po punojmë për bashkëpunim në fushën e bujqësisë, për të ndihmuar në plotësimin e kërkesave të Kinës për drithra”, tha Nikoliç.

Presidenti Nikoliç foli edhe për pritshmëritë e tij nga forumi i bashkëpunimit ndërkombëtar, që do të mbahet në maj, dhe apeloi për pjesëmarrje aktive nga të gjitha vendet.

“Ne duhet ta dimë se Kina është një partner serioz strategjik dhe gjithnjë i mban premtimet. Kina nuk është më një luan i përgjumur, por një gjigant i fuqishëm. Ky ndryshim është rezultat i një pune të madhe të popullit kinez. Për historinë tonë, sjelljen tonë ndaj Kinës, civilizimin dhe të shkuarën tonë, Kina e trajton Serbinë si një partner të mirë dhe Serbia e trajton Kinën në të njëjtën formë”, tha Nikoliç.

Serbia do të mbajë zgjedhjet në prill dhe vizita në Kinë do të jetë e fundit për Nikoliçin si president. Ai tha se gjithnjë do të mbështesë bashkëpunimin Kinë-Serbi dhe do t’i dedikohet promovimit të miqësisë serbo-kineze.

Top Channel