Ndryshimet klimatike, Trump përmbys rregullat e Obamës

28/03/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv që përmbys rregulloret e epokës “Obama”, për frenimin e ndryshimeve klimatike.

Urdhri ekzekutiv i pavarësisë energjetike pezullon një pjesë të masave të ndërmarra nga paraardhësi i Trumpit dhe promovon karburantet fosile.

Mes nismave tashmë të shfuqizuara është edhe plani për energjinë e pastër, i cili u kërkon shteteve të reduktojnë emetimet e karbonit. Vendimi i administratës “Trump” është vlerësuar nga bizneset, por ka ngjallur kritikat e ashpra të aktivistëve ambientalistë.

Përpara se të nënshkruante urdhrin, numri një i Uashingtonit tha se ai do t’i jepte fund luftës për qymyrin dhe rregullave që vrisnin vendet e punës, siç u shpreh.

Gjatë fushatës ai u zotua të nxirrte Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja klimatike e Parisit, e arritur në dhjetor të 2015-s. Sipas Shtëpisë së Bardhë, rregullat e reja do t’i bëjnë energjinë dhe elektricitetin të përballueshme, të sigurta e të pastra, në mënyrë që të nxisin rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Por ambientalistët paralajmërojnë se pasojat, brenda dhe jashtë kufijve, do të jenë të rënda.

Urdhri i ri paraqet një ndryshim të thellë mes pikëpamjes së Barack Obamës dhe Trumpit për rolin që SHBA duhet të luajnë në mbrojtje të klimës dhe ndryshon dramatikisht qasjen e qeverisë ndaj rritjes së nivelit të detit dhe temperaturave, dy pasoja të ndryshimeve klimatike.

Sipas Trumpit, mbrojtja e vendeve të punës për amerikanët është më e rëndësishme se ndryshimet klimatike.

Top Channel