Diplomati amerikan në Kosovë: Ushtria, përmes Kushtetutës

28/03/2017 00:00

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee vizitoi Kosovën në një kohë kur tema më e nxehtë është themelimi i ushtrisë përmes transformimit të FSK-së, proces të cilin amerikanët e dëshirojnë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese e jo me projektligje.

Yee u takua me kryeparlamentarin Kadri Veseli, takim që nuk u shoqërua me prononcime për mediet.

Nga zyra e Veselit kanë njoftuar se zyrtari amerikan ka shprehur mbështetje pa rezerva ndaj shtetit të Kosovës dhe ka kërkuar më shumë përpjekje në zhvillimin ekonomik e luftimin e korrupsionit.

Ndërsa kryeparlamentari raportohet se i ka thënë Brian Yee se Kosova do të marrë përgjegjësi si shtet sovran në raport me fqinjët.

Nga Kuvendi, Hoyt Brian Yee shkoi në selinë e ekzekutivit, ku u prit nga zv.kryeministri serb i Kosovës, Branimir Stojanoviç dhe shefi i “Listës Serbe”, Slavko Simiç.

Në agjendën e diplomatit nga Uashingtoni nuk ishin takimet me Presidentin Hashim Thaçi dhe kryemnistrin Isa Mustafa. Ditën e martë ai e mbylli me një shtrëngim duarsh me ministren për Dialogun, Edita Tahiri.

Edhe pas këtij takimi nuk pati deklarata për mediet, por në fillim të bashkëbisedimit ata theksuan sesa të rëndësishme janë marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Top Channel