Organet greke të Rendit janë vënë në alarm, pasi kanë zbuluar armë në një xhami në fshatin Iliopetra të Ksanthit, në kufirin me Turqinë. Sipas informacioneve paraprake, armët dhe municionet janë gjetur në shtëpinë e imamit, si dhe në minarenë e xhamisë ku ai shërben.

Bëhet fjalë për një pushkë të tipit “Flober”, dy pistoleta me karikatorë, njëra prej të cilave e tipit “Glock” e pajisur edhe me silenciator, si dhe 30 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Armët janë zbuluar pas një kontrolli të organeve të Rendit, të cilat kanë arrestuar edhe imamin në fjalë, ndërsa janë çuar për analiza laboratorike.

Për çështjen në fjalë është lajmëruar shërbimi grek i Antiterrorit, si dhe zyrtarët e lartë të qeverisë greke, pasi është konsideruar një rast i veçantë në një prej periudhave më të këqija të marrëdhënieve greko-turke.

Theksohet se të hënën, një gazetar i njohur, ish-drejtor i versionit anglisht të gazetës turke “Zaman”, kishte paralajmëruar me anë të një postimi në “Twitter” se kishte informacione që shërbimet sekrete turke kanë rritur veprimtarinë e tyre në Greqi.

I pyetur pak më vonë nga një media greke, gazetari që ndodhet jashtë Turqisë ka deklaruar se, organet greke të Rendit do të duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje xhamive në Greqinë lindore, ku jetojnë pakicat myslimane, si dhe shtëpisë së Qemal Ataturkut në Selanik.

Gjithashtu vlen të përmendet se ende nuk ka një version përfundimtar për zjarrin e rënë në xhaminë monument “Bajazit” disa ditë më parë në Didimotiho, disa kilometra larg qytetit të Ksanthit.

Sipas medieve greke, me shqetësim dhe kujdes, po ndjek të gjitha zhvillimet edhe kryeministri grek Alexis Tsipras.

Top Channel