De Maiziere: Nuk e lejojmë Turqinë të spiunojë “gylenistët” në Gjermani

28/03/2017 00:00

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas De Maiziere i ka ndaluar kategorikisht mundësinë Turqisë që të spiunojë turqit që jetojnë në Gjermani.

Raportimet e medieve tregojnë se kreu i shërbimit sekret të Turqisë i kishte dorëzuar homologut të tij gjerman një listë me njerëzit e dyshuar si simpatizantë të opozitës. Lista thuhet të përfshijë mes të tjerave edhe foto dhe të dhëna personale të të dyshuarve.

Gjermania dhe shtetet të tjera të Bashkimit Europian kanë ndaluar organizimin e mitingjeve në mbështetje të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Ministrat turq synonin të bënin fushatë mes turqve që jetojnë jashtë vendit, për të siguruar votat e tyre në referendumin e 16 prillit, që nëse rezulton pozitiv për Erdoganin, do t’ia shtojë pushtetin atij.

Rreth 41 mijë njerëz janë arrestuar në Turqi që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të vitit të kaluar. Shumë prej tyre janë të dyshuar si ndjekës të lëvizjes besnike ndaj klerikut mysliman që jeton në ekzil të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen. Turqia e akuzon atë si organizator të grushtit të shtetit të vjetshëm, por ai ka mohuar përfshirjen, madje e ka dënuar atë.

Sipas gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe disa televizioneve të tjera publike, kreu i shërbimit sekret turk “MIT”, Hakan Fidan i ka dorëzuar Bruno Kahlit një listë prej 300 individësh dhe 200 organizatash, të cilat mendohet të jenë të lidhura me lëvizjen e Gulenit, gjatë konferencës së sigurisë që u zhvillua në Mynih në muajin shkurt.

Synimi i tij, me gjasë ka qenë nxitja e autoriteteve gjermane që të ndihmojnë homologët e tyre turq, por rezultati nuk ishte ai i pritur. Përkundrazi, këta individë u paralajmëruan të mos udhëtojnë në Turqi apo të mos vizitojnë selitë diplomatike turke në Gjermani, aty ku jetojnë mbi 1.4 milionë shtetas me të drejtë vote në referendumin turk.

De Maiziere tha se raportimet e medieve nuk e kanë habitur aspak.

“I kemi thënë vazhdimisht Turqisë se diçka e tillë është e papranueshme, – tha ai. – Pavarësisht se çfarë pozicioni mund të ketë dikush në lëvizjen e Gulenit, këtu aplikohet juridiksioni gjerman dhe qytetarët nuk do të spiunohen nga vendet e huaja”.

Policia në shtetin perëndimor të North Rhine-Ëestphalia i tha televizioneve gjermane se lista duhet marrë seriozisht.

“Jashtë Turqisë, nuk mendoj se ekziston dikush që beson se lëvizja e Gulenit fshihet pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti”, tha kryespiuni gjerman, Hans-Georg Maassen. “Nuk njoh askënd jashtë Turqisë që të jetë dënuar nga qeveria turke”.

Shërbimi sekret i jashtëm gjerman ka thënë se nuk do të komentojnë mbi këtë rast, por agjencia për sigurinë e brendshme do të hetojë këto pretendime.

Top Channel