Botërori “XXL”, shoqata e klubeve të futbollit e kundërshton

28/03/2017 00:00

Shoqata e klubeve europiane të futbollit doli sërish kundër Botërorit me një format të zgjeruar, që do të çojë në 48 numrin e kombëtareve finaliste duke nisur nga viti 2026.

Karl-Heinz Rummenigge, presidenti i “ECA”-së që përfaqëson 220 klube në kontinentin e vjetër, e cilësoi si të papranueshëm dhe të pakuptimtë vendimin e FIFA-s.

“Besoj se është krejtësisht e qartë se FIFA e di reagimin tonë dhe zhgënjimin që shtoi pjesëmarrjen me thuajse 50%. Në këtë turne përdoren futbollistët tanë dhe punonjësit në favor të Kupës së Botës. U bëj thirrje institucioneve që të reduktojnë numrin e ndeshjeve ndërkombëtare, pasi kemi arritur një pikë ku futbollistët luajnë mbi normën. UEFA dhe FIFA duhet të mendojnë më shumë për futbollin, sesa për anën financiare dhe politike”, tha Karl-Heinze Rummenigge.

FIFA vuri në zbatim në janar një premtim të fushatës së Gianni Infantinos për të çuar Kupën e Botës nga 32, me 48 ekipe finaliste. Në themel të arsyetimit është gjithëpërfshirja, ndërsa periudha kohore do të jetë e njëjtë.

Top Channel