Ponin Angel Marie, e ëma e shkeli pak pas lindjes, duke ia dëmtuar aq shumë këmbët e përparme, sa e kishte shumë të vështirë të ecte.

Sfida ishte e madhe për Derrick Campanën apo doktor Doolittlein e protezave të kafshëve, siç e quajnë ndryshe. Duke përdorur materiale plastike të qëndrueshme dhe të përshtatshme për përdorim mjekësor, ai krijoi një palë proteza speciale për Angel Marie.

Hapat e parë të saj ishin emocionuese.

“Kam parë plot kafshë me probleme deri tani, por disa prej tyre të lënë më shumë mbresa se të tjerët. I tillë ishte edhe rasti i Angelit. Shikon videon e një kafshe që nuk ecën dot dhe thua me vete: çfarë mund të bëj për të ndihmuar dhe që të rezultojë vërtet e suksesshme?”, tha Derrick Campana, mjek prostetist.

Pronarja Lennie Green thotë se Campana, në fakt i shpëtoi jetën ponit të saj. “Po të mos ishte për të, – shprehet Green, – Angel Marie nuk do t’ia kishte dalë dot mbanë”.

Karrierën e tij, mjeku prostetist e ka nisur duke krijuar sholla ortopedike për njerëzit, e më pas zbuloi se mund të ndihmonte edhe kafshët. Ai ka arritur të krijojë deri edhe protezë gjymtyrësh për një elefant në Tailandë, i cili e kishte humbur njërën këmbë nga shpërthimi i një mine tokësore.

Top Channel