BESA, kundër BDI-së. S’pranon Xhaferin për kryeparlamentar

28/03/2017 00:00

Kuvendi i Maqedonisë kërkon zgjidhje për krizën politike pas thellimit të saj në fillim të seancës konstituitive, pasi ajo u kthye në një maratonë fjalimesh politike dhe akuzash për destabilizimin e këtij vendi.

Partitë politike thonë se zgjidhja e këtyre problemeve duhet diskutuar. Por, VMRO-ja e Nikola Gruevskit do të vazhdojë të bllokojë foltoren e Kuvendit për aq sa të jetë e mundur.

Shqiptarët thonë se zgjidhja do të bëhet përmes institucioneve. Por mospranimi i kandidaturës së Talat Xhaferit nga Lëvizja Besa ka ndryshuar situatën. BDI-ja, kandidati i së cilës është i propozuar për kryetar Kuvendi, thotë se Lëvizja Besa do të paguajë çmim politik.

“Është problemi i kulturës parlamentare, është diçka me të cilën edhe opinioni duhet të mësohet. Në të gjithë këtë situatë, ajo që dua të veçoj është e mira që debati u kthye në Parlament. Sesi do të ecin gjërat tani, le të shohim”, shprehet Xhevat Ademi, BDI.

Por, kjo nuk e brengos udhëheqësin e Besës. Nëse do të ketë kandidat tjetër, ata do ta diskutojnë.

“Qytetarët e thanë fjalën e tyre në zgjedhjet e fundit. Unë e kam thënë shumë herë se, për shqiptarët e Maqedonisë, sa më e dobët të jetë BDI-ja, aq më të fortë janë shqiptarët e Maqedonisë”, shprehet Zeqiria Ibrahimi, Lëvizja Besa.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, i pyetur nga Top Channe, thotë se kjo është një fushatë për t’i ikur përgjegjësisë. Dhe problemet nuk i sheh si etnike.

“Kjo është një përbuzje e turpshme. Ata bëjnë sikur nuk kuptojnë asgjë. Por mund të them se, nuk do të mund të zgjasë përgjithmonë dhe ditët i kanë të numëruara”, shprehet Zaev.

Seanca e Kuvendit ka vazhduar dhe fundi i saj nuk dihet. Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, thuhet se ka udhëtuar në Maltë për punë partiake.

VMRO-ja thotë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për krizën parlamentare, ndërsa partitë shqiptare janë të bashkuara për një zgjidhje institucionale, por Lëvizja Besa nuk pranon kandidatin e BDI-së. Mbetet për t’u parë sesi do të zhvillohen punimet e Kuvendit, pasi ka shumë deputetë për të diskutuar.

Top Channel