Eliminatoret Rusi 2018, përgatiten Uruguai dhe Brazili

28/03/2017 00:00

Skuadrat e grupit Amerikanolatin të Eliminatoreve të Botërorit 2018 vijojnë përgatitjet e tyre. Uruguai do të luajë në Lima ndaj Perusë ku do të kërkojë që të harrojë humbjen poshtëruese ndaj Brazilit 1-4 të pësuar pak ditë më parë.

Këtë radhë trajneri Oscar Tabarez do të ketë në dispozicion Luis Suarez, i cili në 41 ndeshje me përfaqësuesen ka shënuar 31 gola.

Sipas tij, prania e sulmuesit të Barcelonës në këtë ndeshje do të zgjidhë shumë probleme dhe se ai do të bëjë diferencën në fushën e lojës ndaj Perusë duke parë edhe ndikimin që ai ka në skuadër. Uruguaj ndodhet në vendin e dytë në klasifikim me 7 pikë më pak se Brazili, ndërsa Peruja është e treta nga fundi me vetëm 15 pikë të grumbulluara.

Edhe Brazili po përgatitet për sfidën e tij të radhës së eliminatoreve kundër Paraguait. Skuadra 5 herë kampione e Botës vjen në këtë përballje pas 7 fitoreve radhazi të cilat janë arritur nën drejtimin e trajnerit Tite.

Seleçao po tregon forcën e saj dhe një fitore ndaj Paraguait mund ta bëjë atë skuadrën e parë në botë që pret biletën për në Botërorin e Rusisë.  Kualifikueset e Botërorit për Brazilin kanë pasur si protagonist Neymar, me sulmuesin 25 vjecar që ishte vendimtar edhe në fitoren 4-1 të Brazilit me Uruguain.

Në përballjet direkte me Paraguain, Brazili është dukshëm në avantazh me 47 fitore kundrejt 13 sukseseve të paraguaianëve, ndërkohë që 20 sfida mes tyre kanë përfunduar në barazim.

Herën e fundit që këto dy skuadra janë përballur me njëra-tjetrën ka qenë në 29 marsin e vitit të kaluar për eliminatoret e Botërorit të Rusisë dhe sfida ka përfunduar në barazimin 2-2.

Top Channel