Pakti kundër armëve atomike bojkotohet nga fuqitë bërthamore

28/03/2017 00:00

Në Nju Jork kanë nisur negociatat për një traktat që bën të jashtligjshme armët bërthamore, por ato janë bojkotuar nga më shumë se 40 vende, përfshirë zotëruesit e këtyre armëve.

Të paktën 113 vende janë pjesë e negociatave që po zhvillohen në selinë e OKB dhe që kanë si qëllim të krijojnë një dokument ligjërisht detyrues që të ndalojë armët bërthamore dhë të sjellë eleminimin e tyre të plotë.

Por të udhëhequr nga SHBA, shumë vende thanë se nuk do të marrin pjesë në këto bisedime, të cilat i quajnë të pavlera. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki haley tha se nuk do të donte asgjë tjetër më shumë sesa një botë pa armë bërthamore, por shtoi se bota duhet të tregohet realiste.

Sipas saj, të gjithë e dinë që Koreja e Veriut nuk heq dorë nga armët bërthamore dhe nëse një vend i tillë ka armë kaq të fuqishme, të tjerët duhet t’i mbajnë për garanci. Haley u shoqërua nga rreth 20 ambasadorë të tjerë përfshirë të fuqive bërthamore si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Negociatat janë bojkotuar nga të gjitha vendet që njihen si zotëruese të armëve bërthamore si SHBA, Kina, Franca, Britania, Rusia, India dhe Pakistani, por edhe nga ato vende që dyshohet se kanë si Izraeli dhe Koreja e Veriut.

Analistët thonë se nëse zotëruesit e armëve bërthamore nuk janë pjesë e bisedimeve, ato s’mund të kenë sukses, megjithëse të tjerë mendojnë se ndalimi i armëve bërthamore do të krijonte një shtysë morale që mund t’i bindë edhe ata.

Top Channel