Supercikloni godet Australinë, evakuohen mijëra persona

28/03/2017 00:00

Një ciklon i kategorisë së katërt, më i madhi që godet Australianë prej vitesh, është përplasur në brigjet verilindore të saj me erëra që mbërrijnë shpejtësinë maksimale 263 km në orë.

Stuhia e fuqishme ka detyruar evakuimin e 25 mijë personave, ka lënë që tani me mijëra banesa pa energji elektrike, e ka shkaktuar dëme të mëdha në ishujt popullorë “Ëhitsunday”.

“Kemi një ditë të gjatë përpara”, deklaroi kryeministrja e shtetit të Queenslandit, Annastacia Palaszczuk. “Intensiteti dhe egërsia e erërave do të vijë në rritje. Të gjithë po mbyllen nëpër strehime”, shtoi ajo.

“Do të ketë erëra të forta përgjatë 8 apo 10 orëve të ardhshme dhe, sigurisht, impaktin e ciklonit ‘Debbie’ do ta shohim edhe në 3 apo 4 ditët në vazhdim, sepse është duke lëvizur poshtë, në rajonet bregdetare. Këto erëra mund të përfundojnë në një sistem të presionit të ulët pikërisht këtu, në brigjet e cepit jugor”, tha Annastacia Palaszczuk, kryeministre e Queensland.

Cikloni më shkatërrimtar për Queensladin që prej vitit 2011, pritet të qëndrojë në këtë zonë për orë të tëra. Stuhia ka sjellë me vete shira të rrëmbyershme, të cilat të kombinuara me një dallgë të rrezikshme batice, kërcënojnë të sjellin përmbytje të mëdha.

Moti i keq i ka kushtuar deri tani jetën një 31-vjeçareje, e cila vdiq në një aksident rrugor. Plazhe të tëra janë mbuluar nga uji, ndërsa banorët tregojnë sesi u janë thyer xhamat e dritareve dhe apartamentet lëkundën me forcë.

Palaszczuk shtoi se koha e evakuimeve kishte përfunduar dhe se tani nuk duhet të lëvizë më njeri, pasi është shumë e rrezikshme. “Të mbrohen aty ku janë, – ishin fjalët e saj, – sepse gjendja do të bëhet më keq”.

Top Channel