Top Story, çfarë ndodhi në Palermo?

27/03/2017 00:00

Një ndeshje që nisi me himnin shqiptarë të duartrokitur nga italianët dhe nuk përfundoi me 90 minutat e luajtuara aty. Kanë kaluar pak ditë, por shija e keqe e asaj ndodhie në Palermo, ende nuk ka kaluar.

Por çfarë ndodhi në Renzo Barbera? Për këtë u fol në Top Story këtë të hënë, ku i ftuar ishte kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një panel me gazetarë sportivë e dashamirës të sportit.

Kreu i FSHF-së tha se nuk justifikohet dhuna e prodhuar nga një grup tifozësh shqiptarë atje.

“Nuk kam përgjigjje për veprime të tilla të papranueshme. Nuk gjej asnjë arsye që u japin të drejtë të bëjnë të tilla veprime në stadium. Nuk justifikohet në asnjë arsye”, thotë ai.

Por a nisi e gjitha kjo nga sjellja e Federatës me grupimet e tifozëve në ndeshjen me Serbinë dhe Izraelin në Elbasan Arena?
 
“Keqtrajtimi me Serbinë e Izraelin? Nuk më duken arsye sepse forcat e sigurisë kanë bërë detyrën e tyre në këto ndeshje. Edhe nëse e kanë tepruar në ndonjë rast, ka mënyra të tjera si mund të zgjidhet kjo. Kjo në asnjë rast nuk jep të drejtën që të cënosh të drejtat e të tjerëve që vijnë në stadium. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe në asnjë rast nuk mund të përkrahen nga askush”, tha ai.

Artan Hoxha, që ndoqi nga afër episodet në ndeshjen Itali-Shqipëri, tha se ato cënuan në përgjithësi imazhin e vendit.

“Gazetat e mëdha në Angli dhe në Gjermani u hapën me Shqipërinë, një imazh që ja dhamë vetë, pavarësisht se këto media nuk kanë qenë asnjëherë dashamirëse me shqiptarët”, deklaroi ai.

Sa i takon përgjegjësisë, përveç autorëve të trazirave, ai e ndan në dy pjesë, këtej dhe matanë Adriatikut.

“Autoritetet italiane kanë përgjegjësinë e tyre dhe për këtë do të dënohen nga FIFA si vend organizator. Por kjo është edhe përgjegjësi e Federatës, sepse trazirat kanë ndodhur në sektorin e stadiumit që i ishte besuar FSHF-së. Biletat kanë qenë në dispozicion të Federatës tonë dhe Federata ja ka dhënë një grupi tifozësh të caktuar”, deklaroi ai.

Hoxha, përkundër pretendimeve të tifo-grupimeve se janë keqtrajtuar nga Federata, ndan një tjetër qëndrim.

“Ata thonë që federata i ka keqtrajtuar, por unë them që Federata i ka përkëdhelur. Grupime të tilla tifozësh janë favorizuar në momente të caktuara”, thotë ai.

Gazetarja sportive, Enkelejda Zeko kërkon që të mos hiqet asnjë paralele mes asaj që ndodhi në Palermo me ato që ndodhen në Beograd.

“Krahasimi me atë që ndodhi në Beograd nuk qëndron dhe është shumë i gabuar. Mos e nxijmë akoma më shumë veten”, deklaroi ajo.

Gazetari Dritan Shakohoxha thotë se të tilla episode janë metoda të huliganizmit jugosllav.

“Është vetëm në vendet e lindjes. Huliganizmi ka qenë institucion në Jugosllavi dhe ka patur shumë lidhje me politikën. Justifikimi që e bëmë kundër Federatës është një justifikim idiot”, thotë ai.

Top Channel