Gjermani, vidhet në muze monedha gjigante e arit

27/03/2017 00:00

Një monedhë gjigante ari, që mban imazhin e mbretëreshës dhe ka një vlerë prej 4 milionë dollarë, është vjedhur nga një muze në Gjermani.

Monedha kanadeze, e pagëzuar me emrin “gjethja e madhe e panjes”, ka një vlerë të jashtme prej 1 milion dollarë, por për shkak të peshës prej 100 kg dhe cilësisë së arit prej 24 karatë, vlera e saj është shumë më e lartë.

Objekti u vodh gjatë natës në muzeun Bode të Berlinit. Ende nuk është e qartë se si hajdutët kanë mundur të shmangin sistemin e alarmit dhe të transportojnë monedhën e rëndë, me diametër gjysmë metri.

Vjedhja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të së hënës, me orën lokale. Objekti është shumë i rëndë për t’u mbajtur nga një person i vetëm dhe policia dyshon se hajdutët kanë qenë disa dhe kanë hyrë nga dritarja. Kjo, pasi pranë saj është gjetur një shkallë.

Monedha mbrohej me xham anti-plumb. Ajo është e gjerë 3 cm dhe me një diametër prej 53 cm. Në njërën anë ajo mban portretin e mbretëreshës Elizabeth II, si kryetare e shtetit të Kanadasë. Ndërsa në anën tjetër ka një gjethe panje.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel