Humbja me Bullgarinë, Holanda shkarkon trajnerin Blind

27/03/2017 00:00

Humbja 2-0 me Bullgarinë për kualifikueset e Botërorit 2018 i ka kushtuar Danny Blind. Federata holandeze e Futbollit mori vendimin për ta shkarkuar teknikun e përfaqësueses, lajm që e publikoi nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen e saj të internetit.

Këtë vendim, Federata holandeze e mori duke parë edhe situatën e “tulipanëve” në kualifikuese, pasi rreziku që kjo skuadër të mbetet edhe jashtë Botërorit të Rusisë është i madh, duke qenë se është në vendin e katërt në grup me 7 pikë, 6 më pak sesa Franca kryesuese.

“E respektojmë Danny Blind, por rezultatet nuk ishin shumë të mira”, tha drejtori në Federatën holandeze, Jean Paul Decossaux. “Duke parë sesi po shkojnë kualifikueset e Botërorit 2018, ne e ndiemë të nevojshme largimin e tij”.

Danny Blind qëndroi 20 muaj në pankinën e Holandës. Gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e tij, skuadra e “tulipanëve” zhvilloi 17 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore e 7 humbje. Vendin e Blind për ndeshjen miqësore me Italinë do ta marrë zëvendësi i tij, Fred Grim, ndërkohë që Federata tashmë ka nisur punën për gjetjen e pasuesit të tij.

Por jo vetëm kaq, institucioni më i lartë i futbollit në Holandë po mendon që të rikthejë në kombëtare edhe Louis Van Gaal, por këtë radhë në rolin e këshilltarit. Drejtori Decossaux theksoi se Federata në këtë moment po kërkon ekspertë të tjerë dhe Van Gaal duket se është një prej emrave që po përmenden në këtë aspekt.

Top Channel