Siri, rebelët marrin bazën ajrore pranë Raqqasë

27/03/2017 00:00

Rebelët sirianë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara morën kontrollin e plotë të një baze ajrore strategjike nga Shteti Islamik, në afërsi të qytetit Raqqa.

Marrja e bazës shihet si një hap domethënës në luftën për të dëbuar militantët islamikë nga Raqqa, kryeqyteti i vetëshpallur i grupit terrorist.

Rebelët thanë se, pas përleshjeve të ashpra, mundën që të marrin kontrollin e bazës ajrore “Tabka” dhe vazhdojnë që të përparojnë drejt qytetit të Raqqasë. Në drejtim të këtij të fundit vazhdojnë marshimin edhe forcat kurde.

Megjithatë, grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre për sigurinë e civilëve që jetojnë në zonë.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet ajrore të koalicionit i kushtuan jetën të paktën 89 civilëve javën e kaluar. Sidoqoftë, marrja e aeroportit ushtarak është suksesi i parë i madh i aleancës së rebelëve, që kur Shtetet e Bashkuara përdorën mjetet e saj ajrore për të dërguar luftëtarët rebelë pas vijave të Shteti Islamik javën e kaluar.

Baza ajrore “Tabka” u mor nga ISIS në vitin 2014 nga ushtria siriane, e cila në atë kohë nuk kishte ende mbështetjen e makinës luftarake ruse dhe ishte thuasje pranë disfatës. Rimarrja e bazës nga rebelët ishte pjesë e një ofensive, që gjithashtu synonte të merrte kontrollin e digës “Tabka”, më e madhja në Siri.

Më herët, në përpjekje për të ruajtur kontrollin e digës, Shteti Islamik tha se ajo po shembej për shkak të sulmeve ajrore, por sipas koalicionit rebel dhe SHBA-ve, diga nuk është dëmtuar aspak.

Top Channel