Prokurorët koreano-jugorë kërkojnë arrestimin e ish-presidentes

27/03/2017 00:00

Prokurorët në Korenë e Jugut kanë kërkuar mandat për arrestimin e ish-presidentes Park Geun-hye, për rolin e saj në një skandal korrupsioni.

Në fillim të muajit, ajo humbi imunitetin dhe u shkarkua nga detyra, pasi Gjykata Kushtetuese mbajti në fuqi vendimin e Parlamentit për ta paditur.

Park akuzohet se lejoi mikeshën e saj, Choi Soon-sil, që të zhvaste parà nga kompanitë e mëdha. Ish-presidentja i mohon akuzat, megjithëse i ka kërkuar disa herë falje publikut, herën e fundit javën e kaluar para se të merrej në pyetje për 14 orë rresht.

Në një komunikatë për shtyp, prokurorët në Seul thanë se çështja është shumë e rëndë, pasi e dyshuara sipas tyre ka abuzuar me pushtetin dhe ka përdorur postin e saj të fuqishëm si presidente, për të detyruar kompanitë që të paguanin shumë kolosale.

Prokurorët thanë se arrestimi duhet bërë sa më shpejt, pasi druhen se prova të ndryshme, si për shembull të dhëna kompjuterike mund të shkatërrohen.

Në qendër të skandalit është lidhja e ngushtë mes presidentes dhe mikeshës së saj Choi Soon-sil, e cila përdori kontaket presidenciale për të marrë miliona dollarë fonde për organizatat e saj joqeveritare.

Lee Jae-young, shefi i përgjithshëm i “Samsung”-ut, një nga kompanitë që paguan parà, u arrestua për rolin e tij në skandal. Ish-presidentja 65-vjeçare dyshohet se është përfshirë personalisht në zhvatje dhe se i kishte siguruar Choit qasje të pakufizuar në dokumente zyrtare, diçka plotësisht e palejueshme.

Top Channel