Hamilton ka kritika për F1: Parakalimet të vështira

26/03/2017 00:00

Ishte dhe mbetet favoriti kryesor për të fituar titullin kampion në Formula 1, por pavarësisht kuotimeve para metrave të parë në cirkuitin “Albert Park” në Melburn, piloti britanik Luis Hamilton nuk arriti të presë finishin i pari.

Kjo ishte një nga surprizat që dhuroi gara hapëse e sezonit, e me shumë gjasa do ta pasojnë të tjera në kalendarin e Formula 1.

Protagonisti i Mercedes ka kritikuar rregullat e reja të garave, pasi mori vetëm pikët e rezervuara për vendin e dytë.

Sipas Luis Hamilton që e nisi garën në Pole Position, janë bërë akoma më të vështira parakalimet në pistë.

Piloti me ngjyrë i qëndroi pretendimeve se Ferrari është mes favoritëve, por tregoi shqetësim sesa të ndjeshme janë bërë makinat nga turbulencat, duke u destabilizuar.

“Nuk dua të gënjej, edhe sepse nuk jam shumë i mirë për ta fshehur, por dua tju them se Ferrari tregoi që ishte vërtetë i shpejtë, madje me gomat ultra të buta ishte në një paraqitje fantastike. Forca ime e vërtetë ishte deri në fundin e garës, por atëherë ishte shumë vonë për të fituar, pasi për mua Formula 1 është bërë më keq sesa e kisha parashikuar edhe publikisht. Shpresoj që gjërat të ndryshojnë garën e ardhshme dhe të ketë më tepër beteja me makinat pranë, pasi tani po garojnë vetëm strategjitë dhe pit stopet”, tha Hamilton

Top Channel