Miqësorja e Legjendave, Liverpool fiton 4-3, ndaj Realit

26/03/2017 00:00

Në stadiumin ‘Anfield Road’ kishte kohë që nuk shiheshin në fushë një numër kaq i madh legjendash të futbolit dhe lojtarë që kanë shkruar një pjesë të historisë.

Përballja e veçantë, e organizuar për qëllime bamirësie, mblodhi bashkë protagonistë ndër vite të “The Reds”, dhe skuadrës galaktike, në një 90 minutësh simbolik ku u shënuan plot 7 gola.

Ish kapiteni i Liverpulit, që për shumë vjet kërkohej nga formacioni i “Los blankos”, por asnjëherë nuk u josh për të ndryshuar fanelë, ishte personazhi më i dashur mes tifozëve që kontribuan në fondacionin e bamirësisë së “The Reds”.
Steven Gerrard krijoi golin për ish sulmuesin ikonë të kombëtares angleze, Michael Owen, si dhe rrjetën e John Aldridge por jo vetëm kaq.

Ish numri 8 i Liverpool, fitoi penalltinë që u konvertua në gol nga Robi Fauler ndërsa shënoi edhe vetë golin e katërt.

Ndërkohë Reali i Madridit, që kishte në gjirin e tij ish lojtarë si Luis Figo, Klarens Sedorf apo Fernando Morientes, arriti të përgjigjet 3 herë në 10 minutat e fundit.

Golat e Kongo, Morientes dhe Ruben De la Red fiksuan ndeshjen e yjeve me rezultatin 4-3.

Top Channel