Kombëtarja nis përgatitjet për Bosnjen

26/03/2017 00:00

Një ditë pas mbërritjes nga Italia, përfaqësuesja kuqezi vazhdon përgatitjet normalisht me të gjithë skuadrën për ndeshjen e radhës, atë miqësore përballë Bosnjes, ditën e martë.

Në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje, Bekim Balaj, pasi mungoi në përballjen me Italinë, beson se do të jetë radha e tij në këtë miqësore.

“Në çdo ndeshje të kombëtares dëshira është për të luajtur. Bëhej fjalë për një sfidë të madhe ndaj Italisë dhe dëshira ishte e madhe për të luajtur, pasi përballë kishim futbollistë të mëdhenj. Unë jam në gjendje të mirë, nuk mendoj se ndalesa e kampionatit rus ka ndikuar në uljen time në stol, pasi kisha luajtur në 3 ndeshje përpara kësaj sfide, por trajneri bëri zgjedhjet e tij. Shpresoj që të luaj ndaj Bosnjes dhe pse jo, të shënoj”, tha sulmuesi shkodran.

Ndërsa mbrojtësi Frederik Veseli, i cili kaloi me sukses përballjen ndaj axurrëve, pavarësisht rezultatit, shprehet sërish i gatshëm për të qenë në dispozicion të trajnerit De Biasi, kudo që ai mund ta vendosë.

“Unë kam bërë punën time, jam në dispozicion të trajnerit, në dispozicion të kombëtares, e vërtetova në ndeshjen ndaj Italisë. Nëse kam mundësi të luaj, për mua është një bonus i madh dhe shpresoj të vazhdoj të jap maksimumin tim për Shqipërinë. Me aktivizimin titullar ndaj Italisë unë realizova një ëndërr timen për të nisur një ndeshje që nga fillimi me kombin tim. E rëndësishme për mua është të luaj, nuk ka rëndësi se në çfarë pozicioni”, tha Veseli.

Ndeshja e radhës, miqësorja përballë Bosnje-Hercegovinës, do të luhet ditën e martë, më 28 mars, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 20:45.

Top Channel