Sulmi në Londër, agresori ka vepruar i vetëm

26/03/2017 00:00

Terroristi i sulmit ndaj “Westminster”-it në Londër ka vepruar i vetëm. Nuk ekziston asnjë informacion që të tregojë se janë parashikuar sulme të mëtejshme. Të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarë të “Scotland Yard”.

Masood vrau 3 persona dhe plagosi rreth 50 të tjerë kur drejtoi automjetin drejt turmës së këmbësorëve dhe çiklistëve në urën “Westminster” ditën e mërkurë, përpara se të përplasej me gardhin e Parlamentit britanik dhe të qëllonte për vdekje një oficer policie. E gjitha kjo për 82 sekonda, derisa u qëllua për vdekje nga policia.

Forcat e rendit thonë se me shumë mundësi “ne nuk do ta kuptojmë kurrë se përse e bëri këtë veprim”. Familja e oficerit të vrarë, Keith Palmertha se trimëria e tij duhet të kujtohet gjatë. Deputeti Tobias Ellwodd, i cili ishte mes atyre që u përpoqën ta shpëtonin Palmerin, tha se ndihej i pikëlluar që përpjekjet e tij nuk mundën të ishin të suksesshme.

Zv.ndihmëskomisioneri i Policisë, Neil Basu është shprehur se “ende besojnë se Masood ka vepruar i vetëm gjatë së mërkurës dhe se nuk ka informacione, apo raportime nga shërbimet sekrete, që të tregojnë se janë planifikuar edhe sulme të tjera shoqëruese”.

“Edhe nëse ai ka vepruar i vetëm dhe i parapërgatitur, ne duhet të përcaktojmë me qartësi absolute se përse e bëri këtë akt të papërshkrueshëm për të sjellë kështu garanci për londinezët, si dhe për t’u dhënë përgjigje dhe përfundime konkrete familjarëve të viktimave dhe të të mbijetuarve të këtij krimi. Duhet të pranojmë, gjithsesi, se ekziston mundësia që të mos arrijmë kurrë ta kuptojmë se përse e bëri këtë veprim. Arsyeja mund të ketë vdekur bashkë me të”, tha zyrtari i “Scotland Yard”.

Duke shkruar për dy gazeta britanike gjatë kësaj të diele, sekretarët e Brendshëm dhe të Jashtëm, Amber Rudd dhe Boris Johnson bënë thirrje ndaj kompanive të medieve sociale, si “Google” apo “Facebook” të jenë më proaktive në asgjësimin e faqeve ekstremiste të internetit.

Viktimat e tjerë të Masood ishin Aysha Frade, rreth të 40-ave që punonte në një kolegj të Londrës; turisti amerikan Kurt Chochran, 54-vjeçar, si dhe sanitarja e dalë në pension, Leslie Rhodes, 75 vjeç, nga jugu i Londrës.

Një 58-vjeçar i arrestuar në Birmingham mëngjesin e parë pas sulmit, bazuar mbi ligjin antiterrorizëm, mbetet ende në paraburgim, ndërsa një 32-vjeçare e arrestuar në Manchester mbetet në liri me kusht, njofton Policia Metropolitane. Fillimisht u arrestuan 11 persona për incidentin, por 9 prej tyre janë liruar pa u ngritur asnjë akuzë ndaj tyre.

Top Channel