Mercedes, Hamilton e Bottas: Ferrari, superior; Rosberg…

26/03/2017 00:00

Mercedesi u mposht dhe për këtë ka një shije hidhërimi mes gjermanëve. Ndërkohë, britaniku Hamilton kishte kohë që kërkonte një rival, donte të rivalizonte pikërisht me Vettelin dhe ja ku erdhi mundësia.

Lewis Hamilton shpresonte të rigjente Ferrarin e dikurshëm, të aftë për të luftuar për titullin, dhe në Melbourne gjeti pikërisht atë që kërkonte. Goditjet e dhëna nga Toto Wolff në bokset e skuderisë gjermane shprehin qartë zhgënjimin e Mercedesit, jo thjesht për një humbje, por për një humbje me strategji dhe shpejtësi.

Megjithatë, nga podiumi ku ishte ngjitur, teksa fliste për mediet Hamilton njohu meritat e “kokëkuqes” në këtë garë të parë.

“Komplimente Ferrarit! Ne patëm një fundjavë të mirë, por patëm shumë vështirësi në garë me gomat, të cilat u konsumuan shumë. Ndonjëherë shkon edhe kështu, megjithatë gara ishte pozitive. Kemi marrë pikë të mira si grup dhe atmosfera nuk ndryshon kurrë te ne”.

Ndërkohë Bottas feston ngjitjen në podium në garën e tij të parë me Mercedesin. “Falënderoj të gjithë, kam pasur një pritje të ngrohtë këtu. Nuk shkoi gjithçka mirë sot, por kjo edhe se kundërshtarët tanë ishin më të shpejtë. Duhet të punojmë më shumë, sepse mundemi të përmirësohemi”.

Një mesazh e dha edhe kampioni i fundit i botës, Nico Rosberg, tashmë nga roli i tifozit, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale përshëndeti të gjithë fansat e Formulës 1: Respekte për të gjithë ju, që jeni zgjuar gjithnjë herët për të ndjekur garat përgjatë gjithë këtyre viteve.

Top Channel