Ekstradimi i Gylenit, ish-drejtori i CIA-s: E ka diskutuar stafi i Trump

25/03/2017 00:00

Stafi i fushatës së Donald Trump-it ka diskutuar atëherë largimin e Fetullah Gylenit nga Shtetet e Bashkuara.

Pretendimin e ngre ish-drejtori i CIA-s në 1995-sen, James Woolsey, i cili tha për “Wall Street Journal” se ka qenë i pranishëm në takimin ku ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn duket se ka diskutuar dëbimin e klerikut mysliman të shumëkërkuar nga Turqia.

Ankaraja e akuzon Gylenin, dikur njeri të afërt e sot armik të përbetuar të presidentit Rexhep Tajip Erdoganin për orkestrimin e grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik.

Në intervistë, Woolsey rrëfen për “Wall Street Journal” se ishte i pranishëm në bisedimet mbi metodat e largimit të Gylenit përtej procesit ligjor të ekstradimit.

Takimi, nga sa shpjegon ai, ka ndodhur në muajin shtator në një hotel të Nju Jorkut. Të pranishëm, sipas ish-kreut të CIA-s, kanë qenë Flynn, dhëndri i Erdoganit dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Woolsey, asokohe këshilltar i fushatës të miliarderit, shton se mund të mos i ketë dëgjuar të gjitha ç’janë thënë në atë takim, sepse mbërriti me vonesë, por këmbëngul se pati debate serioze mbi mënyrën sesi të dërgohej Gyleni nga SHBA-ja në Turqi.

Një zëdhënës i Flynn-it, ndërkohë e hedh poshtë një variant të tillë të ngjarjeve, e thotë se gjenerali nuk ka diskutuar mbi asnjë veprim ilegal, dëbim fizik jo-legjitim apo aktivitete të tjera të kësaj natyre.

Fetullah Gylen jeton në Shtetet e Bashkuara prej gati dy dekadash. Prania e tij është kthyer në shkak madhor fërkimesh mes Uashingtonit dhe Ankarasë që insiston në ekstradimin e klerikut, edhe pse ai mohon çdo përfshirje në tentativën për grusht shteti.

Top Channel