60 vite union, udhëheqësit e BE-së mblidhen në Romë

25/03/2017 00:00

Liderët e BE-së janë mbledhur në kryeqytetin italian për kremtimin e 60 viteve të kaluara që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës.

Krerët e 27 vendeve anëtare, pa përfshirë Mbretërinë e Bashkuar do të hedhin firmat e tyre mbi një deklarate të re, një formë nderimi kjo që i bëhet marrëveshjes së 1957-s, e cila i hapi rrugën krijimit të bllokut europian.

Theresa May nuk merr pjesë në kremtime. Kryeministrja britanike të mërkurën synon t’i japë udhë procesit të shkëputjes së vendit të saj nga BE-ja. Humbjen që e tronditi bllokun nga themelet, krerët e unionit po përpiqen ta kapërcejnë duke bashkuar radhët.

Këtë mesazh u përcolli dhe Papa Françesku gjatë pritjes në Vatikan në vigjiljen e samitit. Ai e nxiti BE-në të shohë drejt së ardhmes me fuqi të ripërtërira e paralajmëroi kundër “sigurisë së rreme” të premtuar nga populistët, që kërkojnë vetëizolimin në një kohë kur, siç tha ai, Europës i lipset solidaritet.

“Në një botë të familjarizuar me tragjedinë e mureve dhe ndasive të thella, ishte shumë e rëndësishme të punohej për një Europë të bashkuar e të hapur, e për heqjen e barrierës së panatyrshme që e ndante kontinentin nga Deti Balltik në atë Adriatik”, tha Papa.
 
Shtetet e Bashkuara ishin një ndër vendet e para që i dërguan urimet e tyre bllokut në këtë përvjetor.

“I presim me padurim edhe 60 vite të tjera sigurie dhe prosperiteti të ndarë me të gjithë”, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Një urim i tillë vjen pavarësisht kritikave të Donald Trumpit ndaj unionit dhe përshendetjes që ai i bëri Brexit-it, duke profetizuar gjithashtu që shembullin e Anglisë do ta ndjekin edhe vende të tjera.

Traktati i Romës prodhoi komunitetin ekonomik europian, paraardhesin e BE-së në formën që e njohim sot. Ai u nënshkrua asokohe nga gjashtë shtete: Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore.

Top Channel