Botërori “XXL” dhe videoarbitrimi, Infantino mbron idetë revolucionariste

24/03/2017 00:00

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino mbrojti sërish idetë e tij, që e çuan në fronin e qeverisë së futbollit botëror, mes të cilave dy revolucione: Botërori i zgjeruar dhe sistemi i videoarbitrimit, që po testohet anembanë fushave të globit.

Në konferencën “Football Talks” në qytetin portugez të Estorilit, zvicerani tha se testet kanë qenë mjaft pozitive dhe kanë ndihmuar gjyqtarët.

Bundesliga do të aplikojë sistemin e diskutueshëm “VAR” për teknologjinë në fushë, në fillim të sezonit të ardhshëm. Një tjetër ide e Infantinos është shtimi i numrit të kombëtareve finaliste të Botërorit, nga 32 në 48 ekipe, duke nisur nga viti 2026.

“Ne patëm një eksperiencë të ngjashme në Europë, kur e shtuam formatin në 24 kombëtare. Një prej kritikave kryesore para se të aplikohej kjo ishte se, kualifikueset do të ishin të mërzitshme, por në të vërtetë patëm një fushatë argëtuese dhe nga më interesantet. Skuadra që nuk ishin kualifikuar kurrë hynë në fazën finale, ndërsa ekipe që janë gjithmonë nëpër Europianë, si Holanda, nuk mundën të hynin dot”, tha presidenti i FIFA-s.

Top Channel