Blindohet “Wembley”, Angli-Lituani bëhet shtetrrethim

24/03/2017 00:00

Priten më shumë se 80 mijë spektatorë në stadiumin Wembley të dielën në orën 16:00 në Londër, për sfidën kualifikuese të vlefshme për Botërorin e 2018 ndaj Anglisë dhe Lituanisë. Por sulmi terrorist në zemër të Britanisë së Madhe ka bërë autoritetet të kalojnë në gjendje alarmi dhe sigurie ekstreme për shkak të grumbullimeve masive të tifozëve.

Federata e futbollit anglez siguroi tifozët për mbarëvajtjen e qetë, por dha gjithashtu edhe disa këshilla. “Duam që të gjithë tifozët të vijnë orë më parë në stadium. Në impiant do të ketë gjithashtu forca policie me armë”, thuhet mes të tjerave.

“Skotland Jard” njoftoi se do të ketë një përsëritje të masave të sigurisë së nëntorit 2015, kur në ndeshjen mes Anglisë dhe Francës, pati kordone të shumta sigurie dhe masa shtesë nga toka dhe ajri. Gjithashtu në brendësi të impiantit mitik londinez do të ketë agjentë sekretë të kamufluar mes tifozëve, për tu siguruar që edhe nëse një rrezik potencial kalon sigurinë, të neutralizohet menjëherë.

Federata njoftoi se të dielën në Wembley, do të mbahet një minutë heshtje para ndeshje eliminatore, për viktimat nga sulmi pranë Parlamentit këtë javë.

Top Channel