Sulmi “i dështuar” në Anversa, akuza për terrorizëm ndaj tunizianit

24/03/2017 00:00

Tuniziani që drejtonte me shpejtësi automjetin e tij drejt një zone të mbipopulluar “shopping”-u në qytetin portual të Anversës në Belgjikë, i arrestuar ditën e djeshme, është ngarkuar sot me akuza për terrorizëm, edhe pse motivet e asaj që donte të bënte ai mbeten ende të paqarta.

I dyshuari 39-vjeçar, i identifikuar si Mohamed R., u akuzua për “përpjekje për të vrarë me metoda terroriste, përpjekje për të goditur e plagosur me metoda terroriste, si dhe armëmbajtje pa leje”, njoftoi zyra e prokurorit federal.

Gjithsesi, një burim i afërt me hetimin tha se prokurorët nuk mund të konfirmojnë nëse sulmi mund të ishte terrorist, duke shtuar se drejtuesi i automjetit la shumë pak për të kuptuar gjatë marrjes në pyetje. Të tjerë burime thanë se akuzat mund të interpretohen si “masa parandaluese” në mënyrë që të mbajnë të dyshuarin në paraburgim.

Incidenti erdhi vetëm një ditë pas një tjetër sulmi ndaj Parlamentit britanik, i cili la 5 persona të vdekur përfshi agresorin. E mërkura ishte gjithashtu përvjetori i parë i sulmeve të Brukselit, kur u shënuan 32 viktima.

Mohamed R. ngiste me shpejtësi automjetin e tij në drejtim të tregut “Meir” në Anversa, duke detyruar njerëzit të largoheshin me shpejtësi nga rruga, njoftuan autoritetet. Por nuk pati asnjë të lënduar, ndërsa raportohet se ai kishte injoruar më herët një urdhër ndalimi nga ushtarët ruajtës.

Top Channel