NATO: Rusia po armatos talebanët; Moska mohon akuzën

24/03/2017 00:00

Rusia mohoi pretendimet e një prej kryegjeneralëve të NATO-s se mund të jetë duke armatosur në mënyrë sekrete talebanët.

Gjenerali Curtis Scaparrotti deklaroi para ligjvënësve në Uashington se Moska mbase po furnizon me armë grupin ekstremist. Por Zamir Kabulov, i dërguari special i Kremlinit në Afganistan tha se akuzat janë plotësisht të rreme.

Sipas tij, pretendime të tilla ndaj Rusisë kanë qëllimin që të justifikojnë dështimin e ushtrisë dhe politikanëve amerikanë në Afganistan. Rusia kishte deklaruar më herët se kontaktet e kufizuara që ka me talebanët kanë si qëllim që t’i kthejnë ata në tryezën e bisedimeve.

Moska i konsideron talebanët si një organizatë terroriste dhe mbështeti aleancën e Atlantikut të Veriut kundër këtij grupi në luftën civile të viteve ’90. Por në dhjetor të 2015-s, Moska pranoi se interesat e talebanëve përkojnë me ato ruse, në kuadër të luftës së Rusisë kundër Shtetit Islamik.

Megjithatë, gjenerali Scaparrotti, komandanti suprem i NATO-s në Europë, deklaroi para Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura se kishte parë ndikimin në rritje të Rusisë në kuadër të bashkëpunimit me tabelanët, të cilët mbase edhe i furnizon me armë.

Ai nuk dha prova për komentet e tij, por këto bëhen disa javë pasi komandanti i NATO-s në Afganistan tha se Rusia po nxit talebanët dhe u siguron atyre mbulim diplomatik për të dëmtuar ndikimin amerikan dhe për të mposhtur NATO-n.

Top Channel