“Keystone XL” miratohet nga administrata e Trumpit

24/03/2017 00:00

Administrata “Trump” i dha lejen kompanisë energjetike “TransCanada” që të ndërtojë naftësjellësin “Keystone XL”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se projekti, i cili u bllokua nga ish-presidenti Barack Obama, është në interesin amerikan. Tubacioni kolosal prej 1.900 kilometrash do të trasnportojë rërat bituminoze nga Kanadaja në rafineritë e Teksasit, pra do të përshkojë Shtetet e Bashkuara nga veriu në jug.

Presidenti Donald Trump, ndërsa lajmëroi për lejen e dhënë, tha se kjo ishte një ditë e madhe, pasi projekti hap shumë vende pune në SHBA. Megjithëse leja u dha tani, Trump e firmosi urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e tubacionit që në janar, vetëm pak ditë pasi mori detyrën.

Meqë tubacioni kalon kufirin duhej edhe miratimi i Departamentit amerikan të Shtetit, por Rex Tillerson nuk u përfshi fare në këtë çështje, për shkak të rolit të tij të mëparshëm si shef ekzekutiv i kolosit të hidrokarbureve “Exxon Mobil”. Leja u firmos nga zëvendësi i tij, Tom Shannon.

Grupet ambientaliste e kritikuan vendimin e Trumpit për ndërtimin e tubacionit, duke thënë se ai do të dëmtojë rëndë ambientin, arsye për të cilën u bllokua nga administrata e mërpashme. Në vitin 2015, ish-Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se projekti nuk sjell rritje ekonomike dhe as pavarësi energjetike, për më tepër lejon hyrjen në SHBA të një burimi karburanti tejet ndotës.

Top Channel