Putin takon Le Penin: S’ndërhyjmë në zgjedhjet e Francës

24/03/2017 00:00

Presidenti Vladimir Putin ka zhvilluar një vizitë surprizë këtë të premte me kandidaten presidenciale të ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, e megjithatë hodhi poshtë sugjerimet se Rusia synon të ndikojë në zgjedhje në favor të saj.

Le Pen u takua me Putinin vetëm pak orë pas vizitës së njoftuar më herët në dhomën e ulët të Parlamentit rus. Në takimin me deputetë të Dumës ruse, Le Pen nxiti Rusinë dhe Francën të punojnë së bashku për të shpëtuar botën nga globalizimi dhe fundamentalizmi islamik.

Të tilla pozicione e vendosin atë në të njëjtën paralele me qëndrimet e Kremlinit, ndërsa ka pasur spekulime të shumta se Rusia kërkon të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë. Por Putin, si gjithmonë, i hodhi poshtë këto pretendime.

“Ne nuk duam të ndikojmë në asnjë mënyrë në ngjarje të ndryshme, por gjithsesi ruajmë të drejtën tonë për t’u takuar me të gjithë përfaqësuesit politikë të të gjitha krahëve, ashtu siç bëjnë edhe partnerët tanë në Europë dhe në SHBA”, tha ai.

Le Pen ka zhvilluar një sërë udhëtimesh në Rusi dhe shpesh është takuar me ligjvënës rusë. Moska duket se po fut në orbitën e saj partitë konservatore të Europës në mesin e një fushate për ndikim, për shkak të përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë dhe luftën në Siri.

Përgjatë viteve të kaluara, Putin është takuar vazhdimisht me François Fillon, kandidatin presidencial të Partisë Republikane të qendrës së djathtë, i cili ka qenë kryeministër i Francës në vitet 2007-2012. Një raport i pakonfirmuar i kësaj jave thoshte se Fillon është paguar me 50 mijë euro për të siguruar një takim mes Putinit dhe një manjati libanez. Fillon i ka quajtur këto akuza si “gënjeshtra të turpshme”.

Zgjedhjet presidenciale me dy raunde të Francës do të zhvillohen më 23 prill dhe 7 maj. Le Pen pritet të jetë një nga dy pretendentët e votës së prillit, për t’u përballur më pas në balotazhin e majit.

Takimi i Putinit me Le Pen erdhi mes polemikave në rritje nëse Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke sulmuar kibernetikisht llogaritë e Komitetit Kombëtar Demokratik, si dhe për takimet mes pjesëtarëve të rrethit të ngushtë të presidentit Donald Trump me ambasadorin rus në SHBA.

Top Channel