Nostalgji e Revolucionit Kulturor

24/03/2017 00:00

Filmat nga Shqipëria ishin një dritare e botës për miliona adhurues kinezë të filmit, në kohën kur marrëdhëniet mes dy vendeve shënonin kulmin e tyre.

“Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Horizonte të hapura” dhe “Njësiti guerril” pushtonin listën e preferencave. Ironia e madhe, që edhe sot kinezët vazhdojnë t’i ndjekin me interes të madh filmat shqiptarë, ndërsa te ne diskutohet ndalimi i atyre të periudhës komuniste.

Por vëmendja e munguar këtu kompensohet gjetkë. Kina i ka rezervuar një hapësirë goxha të gjerë kinematografisë shqiptare dhe Arkiva Kombëtare e saj e Filmit i ruan me kujdes kopjet e atyre viteve.

Filmat e titruar shqiptarë mund të gjenden “online” edhe në portalin kinez “Youku”. Me argumentin se përbëjnë një “vegël masive shpëlarjeje të trurit” për brezin e ri dhe një “katastrofë etike dhe estetike” u kërkua të ndalohej transmetimi në Shqipëri i shumicës së filmave të komunizmit.

Akademikët kundërshtojnë duke theksuar domethënien e tyre, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare të vendit, dhe si element i rëndësishëm për publikun, në mënyrë që të përballet me të shkuarën dhe ta pranojë atë.

“South China Morning Post” shkruan se, më shumë sesa gjenerim nostalgjie për diktaturën komuniste në Shqipëri, këto filma kanë shërbyer që t’i informojnë studiuesit dhe regjisorët mbi mënyrën sesi funksiononte regjimi i dikurshëm e si e mbante pushtetin.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel