Rrëzimi i “Obamacare”, Trump: Të premten votimi vendimtar

24/03/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar një votim vendimtar në Dhomën e Përfaqësuesve të premten, lidhur me projektligjin e tij kontrovers për shëndetësinë.

Votimi për aktin e kujdesit shëndetësor që synon të zëvendësojë pjesë e të ashtuquajturit ligji “Obamacare”,  ishte i parashikuar për të enjten u shty për shkak të kundërshtive të disa republikanëve.

Tani numri një i Shtëpisë së Bardhë i vë pjesëtarët e partisë së tij përballë ultimatumit për ta votuar projektligjin të premten, ose të mbajnë një herë e mirë “Obamacare”-in. Këtë paralajmërim  presidenti e ka bërë gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë. Republikani dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan u shpreh:

“Për 7 vjet e gjysmë i kemi premtuar popullit amerikan se do të shfuqizojmë e zëvendësojmë këtë ligj të çalë, i cili nuk po rezulton aspak i dobishëm për qytetarët. Nesër do t’i kthejmë premtimet në veprim”, tha Paul Ryan.

Shfuqizimi dhe zëvendësimi i reformës shëndetësore të paraardhësit të tij ishte një prej premtimeve kryesore të fushatës elektorale të Trump-it, por mundësimi i këtij objektivi po pengohet nga lufta e brendshme republikane.

Partia nuk po arrin dot të gjejë një kompromis. Për disa, reformat shkojnë shumë lart për disa, e janë të pamjaftueshme për të tjerë. Që projektligji të miratohet nevojiten votat e 215 republikanëve. Nëse 22 prej tyre i bashkohen demokratëve në votën kundër projektligji dështon, dhe sipas “Assosiated Press” të paktën 28 republikanë e kundërshtojnë atë.

Top Channel