Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker i ka dërguar një mesazh paralajmërues presidentit amerikan Donald Trump, ku i kërkon që të mos inkurajojë vendet europiane që të kopiojnë nismën “Brexit”.

Në një intervistë për “Financial Times”, Juncker paralajmëron se shpërbërja e Bashkimit Europian mund të nxisë luftën në vendet e Ballkanit perëndimor.

Juncker është shprehur se, entuziazmi i Trump për daljen e Britanisë nga Unioni ishte diçka “e mërzitshme” dhe “e çuditshme” në të njëjtën kohë.

Kjo tregoi, sipas kreut të KE, se miliarderi njujorkez nuk është në dijeni të historisë së komplikuar të Europës.

Juncker, 63 vjeç dhe një veteran i politikave europiane, i dha të njëjtin mesazh edhe zëvendës presidentit amerikan Mike Pence kur ky i fundit vizitoi Brukselin muajin e kaluar.

“I thash zëvendës presidentit, ‘mos e thoni këtë, mos u bëni thirrje vendeve të tjera të largohen, sepse nëse Bashkimi Europian shembet do të keni luftë të re në Ballkanin perëndimor”, deklaroi Juncker.

Në intervistën e gjatë, Juncker foli edhe për marrëdhëniet ndëratlantike dhe impaktin negativ që largimi i Mbretërisë së Bashkuar po shkakton, duke e cilësuar atë një “tragjedi me shumë pasoja”.

Ai tha se, fatura totale e largimit të Britanisë arrin deri në 60 miliardë dollarë, sipas përllogaritjeve të Brukselit, dhe paralajmëroi për negociata komplekse dhe të vështira mes palëve.

“Përditë po zbulojmë probleme të reja që nuk e dinim që ekzistonin, apo as që i imagjinonim. Njerëzit mendojnë se Brexit mbaroi me kaq. Jo, ky është vetëm fillimi”, shtoi Juncker.

Top Channel