Tahiri dëshmon për Shullazin, pyetet dhe ministrja Nikolla

24/03/2017 00:00

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u paraqitën paraditen e së premtes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të thirrur për rastin e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, gjatë fazës së kandidimit.

Tahiri qëndroi jo më shumë se 30 minuta para prokurorëve dhe kur doli tha se kishte bërë detyrën.

“Më vjen mirë që jam ftuar të dëshmoj për detyrën që kam bërë lidhur edhe me këtë rast, kur të dy profesorët deklaruan se u kërcënuan. E gjej këtë një vazhdim të kontributit tim për të bërë një shtet më të fortë dhe për të pasur më shumë drejtësi në këtë vend”, deklaroi Tahiri.

Për rastin në fjalë, Tahiri tha se nuk kanë shumë rëndësi detajet, por fakti që drejtësia të jetë e njëjtë për të gjithë, pavarësisht postit.

Duke folur për punën e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, Tahiri foli edhe për një tjetër emër të botës së krimit që është kthyer në objekt debati politik.

“Në kohën që unë ushtroja detyrën, nga person drejtues institucionesh të shtetit ai u bë person në kërkim dhe person që ka titullin mbi kokë për t’u përgjigjur para drejtësisë. Dhe kjo është arritje e madhe. Se kur do të arrestohet, kjo është çështje e policisë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nuk ka preferuar të flasë për mediat. Top Channel ka mësuar se si Tahiri ashtu edhe Nikolla kanë deklaruar të njëjtin version në lidhje me kërcënimin e rektorit Mynyr Koni.

Sipas tyre, Koni u kishte thënë se nuk i njihte personat dhe se as ata nuk i kishin përmendur ndonjë emër, ndërsa kishte bërë vetëm përshkrimet fizike të personave që e kishin kërcënuar.

Top Channel