Organet greke të sigurisë kanë shkatërruar një prej organizatave më të mëdha të prodhimit të dokumentave të falsifikuara në vend.

Sipas Policisë së Athinës, në pranga u vunë dy irakianë, një bullgar, një sirian, i cili ishte edhe kreu i organizatës, ndërsa në kërkim janë shpallur 2 shtetas shqiptarë, anëtarë të organizatës të cilët e furnizonin atë me dokumenta të vjedhura prej bandave të xhepistëve nëpër rrugët e kryeqytetit helen.

Në dy banesa që organizata kishte në lagjen “Eksarqia” dhe “Kolono” të kryeqytetit grek u gjetën 953 pasaporta dhe karta identiteti të vendeve europiane, dhjetëra vula të autoriteteve greke, shqiptare, bullgare dhe të vendeve europiane.

Aparatura skanimi të cilësisë tepër të lartë, kimikate që përdoren për fabrikimin e vulave dhe fshirës kimikë, si dhe mijëra aksesorë të ndryshëm që përdoreshin për falsifikimin e dokumentave biometrike, sasi parash kesh euro, dollarë, korona suedeze dhe paundë britanikë.

Vlen të përmendet se cilësia e dokumentave të prodhuara prej kësaj organizate ishte tepër e lartë, madje në disa raste të thirrur për të verifikuar dokumentat e falsifikuara, ekspertët nuk ishin në gjendje të dallonin dokumentat false nga ato origjinale.

Mësohet se kreu i organizatës, një shtetas irakian i arrestuar tashmë, vlerësohet si një ndër mjeshtrat më të mirë të fabrikimit të dokumentave false në Europë. Ai ishte trajnuar prej shërbimeve sekrete të regjimit të diktatorit irakian Sadam Husein për të prodhuar dokumenta false të cilësisë së lartë.

Autoritetet sqaruan se ranë në gjurmë të organizatës, pas njoftimit të shërbimeve sekrete britanike, mbi ekzistencën e një rrjeti fabrikimi dokumentash false që prodhoheshin dhe shiteshin në Athinë, nga 3500 në 6000 euro për person.

Pasi pajiseshin me këto dokumenta, emigrantët trajnoheshin prej trafikantëve lidhur me vendin ku do të mbërrinin,vendin ku gjoja banonin dhe llojin e punës që ata kryenin.

Madje edhe grimoheshin në mënyrë që t’i afroheshin ngjyrës dhe detajeve të fytyrës së personit që i ishte vjedhur pasaporta origjinale e në vazhdim shoqëroheshin në aeroportin e Athinës, ku merrnin avionin e radhës për Britani, Suedi ose Gjermani.

Në shumicën e rasteve, klandestinëve iu përgatitej edhe një patentë dhe kartë kredititi me të dhënat e falsifikuara, si dhe ju jepeshin një sasi të hollash kesh të vendit në të cilin do të shkonin.

Top Channel