Eliminatoret e Botërorit, fitojnë Brazili dhe Argjentina

24/03/2017 00:00

Brazili ndëshkon rëndë Uruguajin dhe fluturon në Grupin Amerikanolatin të eliminatoreve të Botërorit të vitit 2018.

Në Montevideo, “Seleçao” iu imponua asaj të Oscar Tabarez që nuk kishte në dispozicion Luis Suarez, me rezultatin 4-1, duke e çuar në 7 pikë diferencën me të. Ishte pikërisht Uruguaji ai që e nisi më mirë sfidën, teksa kaloi në avantazh me golin e Cavanit nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Por, Brazili e ktheu situatën në favorin e tij, duke barazuar në minutën e 18 me Paulinhon. Ky i fundit u bë protagonisti absolut i 5 herë kampionëve të Botës pasi arriti të gjejë golin edhe në minutat 51 dhe 92, ndërkohë që gjeti rrugën e rrjetës edhe Neymar.

Argjentina mori më në fund hakun ndaj Kilit për humbjet në finalet e Kupës së Amerikës në 2015 e 2016. Në “Riverplate Stadium” skuadra bardhekaltër fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe tashmë e sheh veten në vendin e tretë në klasifikim me 22 pikë, 1 më pak se Uruguaji.

Fati i takimit u vendos në minutën e 16 të saj, kur Messi ktheu në gol një penallti shumë të dyshimtë të fituar nga Di Maria me Argjentinën, që mori 3 pikë të çmuara për kualifikimin në Botërorin e Rusisë.

Top Channel