Zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit maqedonas, sipas deputetit të BDI-së Artan Grubi duhet të realizohet brenda ditës së enjte. Grubi, i cituar nga mediet vendase, thotë se partitë LSDM dhe BDI, si dhe koalicionet që i dhanë mbështetjen e tyre e kanë planin e zgjidhjes.

“BDI-ja, së bashku me LSDM-në do të zhbllokojnë formimin e Komisionit të Emërimeve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas konstituimin e Parlamentit”, citohet të ketë thënë ai.

“Në këtë mënyrë, mandatimi i Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë nuk do të pengohet dot, edhe nëse nuk bëhet nga presidenti Gjorge Ivanov”, ishte komenti i Grubit.

Apelet e perëndimorëve, ndërkohë, vazhdojnë t’i mëshojnë nevojës për shmangien e konflikteve etnike. Një sërë zyrtarësh europianë kanë nxitur Maqedoninë të formojë sa më shpejt institucionet, ndërsa mesazhet nuk kanë munguar as nga Rusia, e cila nuk i flet Shkupit, por Europës që sipas saj po ndërhyn.

Kryediplomati rus, Sergei Lavrov deklaroi se shpreson që vendet perëndimore të kuptojnë rrezikun e përpjekjeve për të destabilizuar situatën në Maqedoni. Sipas Lavrov, është e çuditshme që rajoni i Ballkanit perceptohet si një zonë e aktivitetit provokativ rus dhe se çdo raport normal mes Rusisë dhe Ballkanit ngre shqetësim në Perëndim.

“Situata në Maqedoni është mjaft e komplikuar dhe do ta quaja një krizë, në shumë aspekte e provokuar artificialisht, e cila po sjell përpjekje për të përçarë shoqërinë”, deklaroi Lavrov në Moskë, duke shtuar se aktorët perëndimorë duhet ta kuptojnë se këto veprime nuk sjellin asgjë të mirë.

Top Channel