Kosovë-Islandë, trajneri mik pranon vështirësitë e sfidës

23/03/2017 00:00

Trajneri i Islandës, Heimir Hallgrimsson, në konferencën për mediet një ditë përpara sfidës me Kosovën, e pranoi se përballja me ta nuk do të jetë një sfidë e lehtë, sepse sipas tij, Kosova është një skuadër që është në rritje.

Përfaqësuesja e trajnerit Bunjaku dhe skuadra surprizë e “Euro 2016” do të përballen të premten në “Loro Boriçi” të Shkodrës, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës “Rusi 2018”.

Tekniku islandez tha se skuadra e tij ka bërë përgatitje të mira në Itali, por gjithsesi ndeshja do të jetë e vështirë.

“E njohim mirë kombëtaren e Kosovës, e cila ka lojtarë shumë të mirë, me aftësi të larta, e që po luajnë mirë në Europë. Kemi studiuar mirë lojën e Kosovës, që bërë paraqitje të mira në takimet e kaluara, sidomos kundër Turqisë. E përgëzoj trajnerin Albert Bunjaku për punën që po bën”, tha Hallgrimsson.

Tekniku islandez thotë se ka parë golat e Berishës dhe, në këtë rast, sipas tij bëhet fjalë për një sulmues cilësor.

“Natyrisht që nuk do të çuditem nëse Islanda nuk merr 3 pikët. Kjo ndeshje është 50 me 50, por sigurisht që do të më zhgënjente nëse nuk fitojmë. Personalisht kam parë disa gola të Berishës, që i ka shënuar në Australi. Ne i dimë aftësitë e tij, edhe pse nuk di shumë për të, por stafi im e ka vëzhguar mirë. E njohim profilin e tij”, tha trajneri i Islandës.

Top Channel