Vetëmbrojtja e Trumpit: Unë jam president, ti jo!

23/03/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump mbrojti disa nga pretendimet më kontradiktore të karrierës së tij të re politike, në një intervistë me revistën “Time”, në të cilën tregoi mbrojtjen e thjeshtë dhe absolute të metodës së tij.

“Unë jam një person instiktiv. Nuk besoj se jam duke u paraqitur kaq keq, përderisa unë jam presidenti, ndërsa ti jo”, deklaroi presidenti për gazetarin e “Time”, Micheal Scherer.

Në intervistë, Trump foli për shumë çështje, ku sigurisht dominoi ajo e akuzave për përgjim ndaj presidentit Barack Obama.

Kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë mbrojti me forcë qëndrimin e tij dhe tha se, vet kreu i Komitetit të Inteligjecnës pranoi se mund të kishte pasur përgjim.

Trump tha gjithashtu se, për disa nga pretendimet që ka pasur është bazuar te publikimet në mediet dhe, nëse ato nuk kanë qenë të sakta, fajtori për këtë është mëse i qartë.

I paraqitur me shumë gafa dhe komente të pavërteta, Trump u mbrojt mjaft thjesht nga kritikët duke thënë se ka tendencë që të ketë të drejtë. Si provë për këtë paraqiti “Brexit”-in, duke theksuar se e kishte parashikuar, ndërsa shumë të tjerëve as që i shkonte në mendje që do të ndodhte.

Trump tha se bazohet shumë tek instikti që ka fituar gjatë jetës dhe se e di si funksionon kjo e fundit.

Top Channel