Sulmi në Londër, identifikohet autori

23/03/2017 00:00

Personi, që policia britanike beson se është përgjegjës për sulmin terrorist në Parlament, u indentifikua formalisht si Khalid Masood. Policia britanike tha se 52-vjeçari Masood ishte lindur në Kent të Britanisë dhe jetonte kohët e fundit në West Midlands.

Mësohet se ai nuk ishte subjekt i ndonjë hetimi aktual dhe nuk kishte informacione të mëparshme për qëllime të tij terroriste, por ai njihej nga policia për krime të tjera si agresioni, dhuna fizike apo armëmbajtja pa leje. Për herë të parë, ai është dënuar në nëntor të vitit 1983, ndërsa dënimin e fundit e kishte marrë në dhjetor të 2003-shit, por kurrë më parë për krime të ndërlidhura me terrorizmin.

Policia lajmëroi gjithashtu se 8 persona janë arrestuar në operacione të ndryshme në të gjithë vendin. Zyrtarë të lartë të policisë pohuan se bindja e tyre është që atentatori ka vepruar i vetëm, i frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar, megjithatë po shohin edhe për bashkëpunëtorë të mundshëm.

Ndërkohë, Shteti Islamik mori përsipër sulmin në Londër përmes një komunikate në “Amaq”, atë që njihet si agjencia e lajmeve të grupit terrorrist, ku shkruhet se Masood ishte një ushtar i kalifatit.

Megjithëse mënyrën e sulmit, ekspertët e lidhin me ISIS-in dhe heqin paralele me masakrën e Nicës apo atë të Berlinit, nuk ka një konfirmin që Massod të kishte lidhje me këtë organizatë.

Më herët, kryeministrja britanike Theresa May e quajti sulmin e së mërkurës produkt të një “mendjeje të sëmurë” dhe një goditje ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe lirisë së fjalës. Ajo shtoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të dorëzohet përpara terrorit, për këtë arsye edhe këmbënguli që Parlamenti të enjten ta rinisë punën si normalisht.

Në sulmin e tij me makinë dhe më pas me thikë, Masood vrau 3 persona dhe plagosi 40 të tjerë, para se të vritej nga policia. Viktimat e tij ishin turisti amerikan Kurt Cochran, shtetësja britanike Aysha Frade dhe polici Keith Palmer. Nga të plagosurit, shumica e të cilëve shtetas të huaj, 7 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pasi shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave, shumë politikanë në Britani, përfshirë kryeministren May, thanë se oficeri Palmer ishte një hero që vdiq në krye të detyrës. BBC raporton se, nisma për të mbledhur 100 mijë paund për familjen e tij, tashmë ka kaluar shifrën e 200 mijë paundëve.

Top Channel