NBA, Denver gjunjëzon Cleveland

23/03/2017 00:00

Denver Nuggets harroi dy humbjet e fundit ndaj Houston Rockets dhe këtë e bëri në dëm të Cleveland Cavaliers. Skuadra nga Colorado gjunjëzoi kampionët në fuqi të NBA duke i mundur me rezultatin 126-113 dhe tashmë e sheh veten sërish në garë për një vend në fazën e “playoff”-it.

Edhe këtë radhë, Denver nuk e kishte në dispozicion italianin Danilo Gallinari, megjithatë arriti të marrë më të mirën ndaj Cavaliers, e cila në këtë moment po përballet me problemet në mbrojtje, duke qenë se kjo është ndeshja e dytë radhazi që pëson 120 pikë.

Denver e prishi ekuilibrin e ndeshjes në periodën e dytë të saj falë lojës së Jamal Murray, ndërkohë që veprën e plotësoi Harris, shënuesi më i mirë në parket për Nuggets me 21 pikë. Për Cleveland, 33 pikët e Irving ishin të pamjaftueshme për të evituar këtë humbje.

Chicago Bulls mundi Detroit Pistons në “United Center” me rezultatin 117-95, duke regjistruar fitoren e 34 sezonale. Chicago e kryesoi ndeshjen për pjesën më të madhe të kohës dhe e meritoi këtë fitore. Nikola Mirotic ishte më i miri në parket për skuadrën nga Ilinois, me 28 pikë të shënuara, ndërkohë që në krahun tjetër ishin disa basketbollistë që e mbyllën sfidën me 14 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Oklahoma fitoi ndaj Philadelphia 122-97, Bostoni mundi Indianën 109-100, ndërsa New York humbi ndaj Utah 108-101.

Top Channel